Kompania britanike “Thomas Cook” shpall falimentimin, mbeten rrugëve 600 mijë klientë
Gjiganti britanik i udhëtimeve, “Thomas Cook”, ka deklaruar falimentimin pasi nuk arriti një marrëveshje shpëtimi me kreditorët që mund të parandalonte dështimin.
Rreth 20 mijë vende pune janë në rrezik në të gjithë botën, 9 mijë vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Tim Johnson, i Autoritetit të Aviacionit Civil, duke u munduar të hedh ujë mbi zjarr, mundohet të amortizojë sadopak lajmin. “Autoriteti i Aviacionit Civil po përgatit një plan riatdhesimi, më i madhi që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ne do t’i sjellim gjithë britanikët në shtëpi në datën e caktuar”, ka deklaruar ai.
Në total ka afro 600.000 klientë të operatorit turistik që janë aktualisht me pushime, 150.000 prej të cilëve janë britanikë që duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Kompania, me 178 vjet histori, po përballet me një borxh prej 1.7 miliardë paundësh. Ajo nuk arriti të mbledhë 200 milion paund fonde të cilat mund ta shpëtonin nga kolapsi.
Edhe hipoteza e një shpëtimi nga ana e qeverisë britanike duket se është venitur. Ministri i Jashtëm Dominic Raab ka deklaruar se nuk ka asnjë interes strategjik kombëtar për të justifikuar një ndërhyrje të tillë.
“Thomas Cook” operon me hotele, vendpushime, linja ajrore dhe lundrime për 19 milion njerëz në vit në 16 vende të botës.
Kompania e ka nisur aktivitetin në vitin 1841 për të transportuar pasagjerë me trena në qytetet kryesore britanike. Pastaj u organizua për të menaxhuar udhëtimet jashtë vendit, duke u bërë agjensia e parë britanike turistike në Evropë.