Kompania e ish-presidentit Trump nën kërcënimin e akuzave penale

26 qershor 2021 | 09:39

Prokurorët në Manhatan po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave penale ndaj organizatës së ish-presidentit Trump, pas një hetimi të gjatë lidhur me transaksionet e tij të biznesit.

Gazeta New York Times, duke cituar burime me njohuri mbi këto zhvillime, shkruan se akuzat mund të ngrihen që në fillim të javës tjetër lidhur me përfitime që kompania u ofron drejtuesve të lartë, si apartamente, makina e pagesa për studimet universitare apo në shkolla private.

Avokati i organizatës Trump, Ron Fischetti tha se kishte zhvilluar një bisedë përmes lidhjes me kompiuter me zyrën e Prokurorit të Manhatanit, Cyrus Roberts Vance të enjten në përpjekje për t’i bindur të mos ngrenë akuza penale ndaj kompanisë, por shtoi se akuzat janë të pritshme, raporton VOA.

“Nëse ngrihen akuza të tilla, janë tërësisht absurde dhe të pashembullta. E gjithë kjo po bëhet vetëm për t’u hakmarrë ndaj Donald Trumpit,” tha ai të premten për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Ne do të deklarojmë pafajësinë dhe do të paraqesim kërkesë që akuzat të mos merren parasysh për hapje procesi gjyqësor”, ka deklaruar Fischetti.

Zyra e Prokurorit të Distriktit në Manhatan nuk pranoi të bënte komente.

Deri tani procesi i gjatë hetimor nuk ka rezultuar në akuza. Prokurorët kanë kohë që analizojnë dokumentacionin fiskal të ish-presidentit, kanë paraqitur urdhra gjykate për nxjerrjen e dokumenteve dhe kanë intervistuar dëshmitarë që kanë punuar nga afër me ish-presidentin si dhe drejtues të kompanisë.

Procesi hetimor është përqëndruar pjesërisht tek shefi i financave të organizatës Trump, Allen Weisselberg.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat,…