Kompania ‘Feronikeli’ ndërpret punën, shkak kriza energjetike në Evropë
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se është takuar sot me menaxherin kryesor të kompanisë së Feronikelit, Genc Beribashi, ku nga ai ka marrë lajmin se kjo kompani do ta ndërpres përkohësisht punën për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.
“Pas takimit me menaxherin kryesor të kompanisë së Feronikelit, z. Genc Beribashi, me keqardhje u informova se për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për katër herë në tregjet globale, ndërpritet përkohësisht puna në këtë kompani”.
“Situata e ndërprerjes së punës Feronikelit deri në gjetjen e zgjidhjes, për neve si pushtet lokal është lajm tepër i dhimbshëm, për situatën që do të krijohet për punëtorët dhe familjet e tyre”, ka thënë Lladrovci.
Ai ka treguar se në takim me Beribashin ka shfaqur shqetësimin e tij dhe solidaritetin me gjendjen e rëndë.
“Urova që sa më shpejt të stabilizohet çmimi i energjisë në tregjet globale dhe kompania Feronikeli të operojë me sukses sikur deri më tani, si burim i të ardhurave për mijëra familje të komunës tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Lladrovci në llogarinë e vet në “Facebook”.