Kompania franceze “Mr. Bricolage” me përfaqësi në Kosovë
I shoqëruar nga ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, drejtori rajonal i kësaj kompanie, Goce Markov, është takuar të enjten me ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.
Në këtë takim, Markovi ka treguar përvojën e tij të investimeve në shumë vende të botës, veçanërisht në Maqedoni dhe Bullgari, duke theksuar se janë të interesuar të hapin rrjetin e dyqaneve dhe brendeve të kompanisë “Mr. Bricolage” edhe në Kosovë.
Ai ka theksuar se tashmë kanë filluar identifikimin e vendeve, si në zonën e Veternikut dhe në Fushë-Kosovë, për t’i filluar investimet dhe hapjen e rrjetit të brendeve të kësaj kompanie.
Ndërsa, ministri Dardan Gashi, e ka informuar ambasadorin francez dhe Markov për rëndësinë e procesit të investimeve strategjike, në veçanti për formën që duhet ta ndjekin bizneset franceze për ta fituar statusin e investitorit strategjik.
Ai ka prezantuar edhe mundësitë që ka Kosova për kompanitë franceze dhe rolin që Qeveria e ka në këtë proces të kualifikimit si investitor strategjik, në veçanti rreth procedurave të lehtësuara që duhen ndjekur, tarifat doganore dhe çështjen e taksave.
Në anën tjetër, ambasadori Chabert, ka njoftuar se kompanitë franceze kanë interesim për Kosovën dhe këtë vit, në kuadër të Javës Frankofone, në Prishtinë do të mbahet një takim vetëm me kompani franceze, të cilat do të mund të njihen nga afër me sektorët strategjikë, mundësitë që ofron Kosova dhe procedurat e kualifikimit si investitor strategjik.
/Epoka e re/