Kompania gjermane Bilfinger SE dhe Swiss Zurich Insurance tërhiqen nga projekti i gazsjellësit rus
E përditshmja gjermane Bild, njofton se kompania energjetike Bilfinger SE është tërhequr nga ndërtimi i gazsjellësit “Nord Stream II”.
Kompania gjermane kishte njoftuar se do të respektoj dispozitat e “Mbrojtjes së Sigurisë Energjetike Evropiane” (PEESCA) dhe do të ndërpres të gjitha kontratat që ndërlidhen me projektin.
Tërheqja e saj vjen pas njoftimit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksioneve ndaj kompanive ruse që ndërtonin gazsjellësin, si dhe pritej vendosja e sanksioneve edhe ndaj kompanive evropiane që do të vazhdonin të ishin pjesë e këtij projekti.
Gjithashtu gjatë ditës është njoftuar se edhe kompania zvicerane e sigurimeve Swiss Zurich Insurance, tërhiqet nga projekti i “Nord Stream “, kjo u bë e ditur nga përfaqësuesi i kompanisë, Thomas Baer.
Baer u shpreh se tërhiqen nga ofrimi i shërbimeve për “Nord Stream II”, pas fillimit të sanksionimit të kompanive që janë pjesë e projektit.
Tërheqja e Bilfinger SE dhe Swiss Zurich Insurance, është goditja e radhës për Gazpromin rus brenda një ditës, pas njoftimit se kjo e fundit ka paralajmëruar që projekti i ndërtimit të gazsjellësit ka mundësi të pezullohet, për shkak të kundërshtive dhe sanksioneve kundër kompanive që janë duke i shtrirë tubacionet në Detin Baltik.
Po ashtu, gjatë ditës nga projekti i “Nord Stream II” janë tërhequr edhe Agjencia norvegjeze e Klasifikimit DNV-GL dhe kompania suedeze për konsultime mjedisore Ramboll.
Ndërprerjen e bashkëpunimit të kompanive evropiane në projektin e ndërtimit të gazsjellësit “Nord Stream II”, si duket do të qoj në ndërprerjen përfundimtare të projektit.
Rusia e kishte filluar ndërtimin e gazsjellësit, me qëllim që përmes energjisë të rrisin ndikimin e saj në Evropë.
Ndërprerjes së punimeve për gazsjellësin “Nord Stream II” i kanë parapri fillimi i punës së gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline (TAP) dhe ndërtimi i terminalit të gazit të lëngët (LNG), në ishullin Kërk të Kroacisë, të dy projekte që mbështeten nga SHBA dhe BE, të cilat do të ndikojnë në dobësimin e vashërisë së Evropës ndaj gazit rus. /Telegrafi/