Kompania hekurudhore gjermane ‘Deutsche Bahn’ do të shkurtojë 30 mijë vende pune
Kompania hekurudhore gjermane Deutsche Bahn shënoi në gjysmën e parë të vitit 2024 një humbje prej më shumë se 1.2 miliardë eurosh.
Një pjesë të madhe të humbjeve – që janë shumë më të mëdha se sa në gjysmën e parë të vitit 2023 – kompania i lidh me vonesat për shkak të grevave, të motit ekstrem dhe shpenzimeve për përmirësimin e infrastrukturës.
Në gjysmën e parë të vitit 2024 të ardhurat ishin 22.31 miliardë euro, pra 3% më pak se gjashtë muajt e parë të vitit 2023, kur të ardhurat ishin 23 miliardë euro.
Kurse humbjet nga janari deri në qershor ishin 1.231 miliardë euro, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë, humbjet kishin qenë 71 milionë euro.
Rënie e numrit të pasagjerëve
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në gjysmën e parë të vitit 2024 ra ndjeshëm edhe numri i pasagjerëve të trenave të distancave të gjata.
Sipas Deutsche Bahn në gjashtë muajt e parë të vitit 2024 trenat e distancave të gjata i kanë përdorur 64.2 milionë udhëtarë – një shifër 6% më e ulët se në gjysmën e parë të vitit 2023.
Shefi i Deutsche Bahn, Richard Lutz, tha se fluksi i pasagjerëve të transportit në distanca të gjata është pakësuar për shkak të mungesës së përpikmërisë dhe rinovimeve të rrjetit.
Deutsche Bahn do të shkurtojë mijëra vende pune
Deutsche Bahn pret të bëhet përsëri fitimprurëse në të gjitha fushat e biznesit, nga transporti i mallrave deri tek transporti i pasagjerëve në distanca të gjata në vijim të këtij viti, pasi qeveria gjermane do t’i rimbursojë një miliardë euro, që koncerni ka paguar paraprakisht për rinovimin e linjave.
Po ashtu Deutsche Bahn njoftoi se gjatë pesë viteve të ardhshme do të shkurtojë rreth 30,000 vende pune, kryesisht në administratë./DW