Kompania “HPC AG” mbështet studentët e UMIB-it
Studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) janë duke përfituar nga projektet e bashkëpunimit të Universitetit me kompani të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Edona Sadriu, studente e nivelit master në programin Inxhinieri Mjedisore të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, me mbështetje të kompanisë lidere në botë sa i përket inxhinierisë mjedisore “HPC AG”, do ta kryejë praktikën në zyrën e Kriftelit në Frankfurt të Gjermanisë me mbështetje financiare të kompanisë.
Kjo ka ndodhur pas përfundimit të projektit trevjeçar “Menaxhimi i Zonave të Kontaminuara” të përkrahur nga Deutsche Gesellschaftfür Internationale Zusammenarbeit (GIZ-i) dhe implementuar nga kompania “HPC AG” në bashkëpunim me UMIB-in.
Studentja që ka përfituar në kuadër të këtij projekti, ka nënshkruar kontratën në prani të dekanit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof. dr. Milaim Sadiku dhe Ali Ahmetit, drejtori kompanisë “HPC AG” për Ballkan.
Dekani Sadiku, e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me këtë kompani si dhe projektin e realizuar sa i përket menaxhimit të zonave të kontaminuara.
Ndërsa drejtori Ahmeti tha se kompania është e interesuar që njohuritë e ekspertëve me renome botërore t’i bartë tek të rinjtë e të rejat e Kosovës, e sidomos tek studentët e UMIB-it.
Ndryshe e gjithë kjo mbështetje, sipas tij, është edhe si rezultat i bashkëpunimit profesional në mes të kompanisë dhe UMIB-it, por edhe si rezultat i angazhimit të Dr. Christoph Olk, njërit nga drejtuesit e projektit në fjalë, i cili aktualisht është menaxher i zyrës së “HPC AG” në Kriftel të Gjermanisë.
/Epoka e re/