Kompania norvegjeze e interesuar për investime në menaxhimin e mbeturinave
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur të hënën në takim Henrik Selstam, kryeshef ekzekutiv nga kompania “Scand Green Energy”, i cili ishte i interesuar të investojë në Kosovë në sektorin e energjisë së ripërtrishme.
“Scand Green Energy” është kompani norvegjeze e cila ka më shumë se 30 vite përvojë në prodhimin e kimikateve dhe ka fabrika në vende të ndryshme të botës si, Sllovakia, Danimarka dhe Gjermania.
Henrik Selstam së bashku me delegacionin e tij vizituan ministrin Lluka me qëllim që të informohen rreth fushës së riciklimit të mbeturinave me qëllim të prodhimit të energjisë.
Kreu i MZhE-së, Valdrin Lluka, i ka informuar mysafirët rreth gjendjes së këtij sektori dhe për mundësitë e investimit në Kosovë, përkatësisht në këtë fushë.
“Sektori i riciklimit të mbeturinave është prej sektorëve që ka potencial shumë të madh mirëpo ka më së paku zhvillim në Kosovë. Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar që ta zhvillojë më tepër këtë fushë. Janë dy mundësi që të investohet, e para është që investimi të jetë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, si aksionare kryesore me 51 për qind, e cila lehtëson përfitimin e granteve nga fondet IPA. Si dhe mundësia e dytë është që kompania e vetme të investojë përmes Ligjit për Investime Strategjike”, ka thënë Lluka.
Henrik Selstam ka falënderuar ministrin për informacionet e dhëna, duke thënë se “Scand Green Energy” është duke shikuar të investoj rreth 65 milionë euro në Kosovë.
“Ne jemi shumë të interesuar që të investojmë në Kosovë për shkak të potencialit që ofron ky vend. Sipas studimeve preliminare që kemi bërë parashihet që nga 50 deri në 65 milionë euro të investohen në Kosovë duke ndërtuar një termocentral për riciklimin e mbeturinave”, ka deklaruar. Selstam.
Kreu i MZhE-së ka falënderuar përfaqësuesit e kësaj kompanie që kanë zgjedhur Kosovën si vend të mundshëm për realizimin e këtij investimi dhe u ka ofruar përkrahje për realizimin e këtij projekti.