Kompania zvicerane Nestlé nuk e lëshon Rusinë – kritikohet rëndë nga Zelenski
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka denoncuar kompani të ndryshme perëndimore që ende bëjnë biznes në Rusi. “Kompanitë e mëdha vazhdojnë të financojnë makinerinë ruse të luftës kur duhet të ishin tërhequr shumë kohë më parë”, ka thënë ai në një fjalim.
Zelensky gjithashtu ka përmendur në mënyrë eksplicite kompaninë zvicerane të ushqimit Nestlé.
Soç dihet, Nestlé është kompania më e madhe e ushqimit në botë dhe njëra ndër më të mëdhatë, në përgjithësi.
Të enjten, presidenti ukrainas ka përsëritur kritikat, duke sulmuar drejtpërdrejt CEO të Nestlé, Mark Schneider, për “mungesën e mirëkuptimit”.
Nestlé ka frikë nga shpronësimet
Koncerni me seli në Liqenin e Gjenevës (Vevey) ka gjashtë fabrika në Rusi me rreth 7,000 punonjës, shkruan srf.ch. Për shkak të këtyre punonjësve, kompania do të vazhdojë të punojë në Rusi, thonë në koncern. Arsyet regtare në Rusi nuk luajnë fare rol, përkundrazi: “Ne kemi ndaluar importimin dhe eksportimin e ushqimit – përveç disa ushqimeve kryesore. Investimet dhe aktivitetet tona promovuese janë pezulluar”.
Ata mbeten aktivë në Rusi sepse furnizojnë popullsinë vendase me ushqime të rëndësishme – për shembull ushqim për fëmijë, shkruan Nestlé, transmeton albinfo.ch. Koncerni gjithashtu ka frikë se largimi nga uzinat ruse mund të rezultojë në shpronësimin e impianteve lokale.
Korporatat dërgojnë edhe sinjale politike
“Nuk është thjesht një vendim biznesi që Nestlé po merr këtu, por një vendim me implikime politike”, thotë Florian Wettstein, profesor i Etikës së Biznesit në Universitetin e St. Gallen. Korporatat janë gjithashtu institucione politike që dërgojnë sinjale politike: “Duan apo nuk duan”.
Por ky sinjal politik për të qëndruar duhet të peshohet kundrejt ndikimit të mundshëm negativ mbi punonjësit dhe popullsinë vendase nëse Nestlé do të ndalonte prodhimin në Rusi. Kjo është një dilemë etike, veçanërisht për kompanitë që ofrojnë ushqime bazë. Megjithatë, ai nuk e di nëse Nestlé është realisht e rëndësishme për nevojat themelore të popullsisë ruse, thotë Wettstein.
Nestlé thekson angazhimin në Ukrainë
Megjithatë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të arsyetuar faktin përse Nestlé po qëndron në Rusi. “Faktori bazë për momentin është se kompanitë e mëdha po dalin nga tregu rus”, thotë Wettstein, përcjell albinfo.ch. Shumë korporata tani konsiderojnë se rreziqet e biznesit në rast të qëndrimit në Rusi janë më të mëdha sesa ato nga largimi tërësisht nga tregu rus.
Nestlé pritet të mbetet nën presion, pasi sinjalet politike që korporatat mund të dërgojnë janë rënduese. Fakti që kompania zvicerane pretendon se po bën gjithçka që është e mundur në Ukrainë për t’i siguruar popullatës donacione ushqimore nuk e ndryshon këtë./Albinfo.ch