Kompanitë e përpunimit të drurit nga Kosova marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Ndërtimit “Swiss bau 2024”
Dymbëdhjetë kompani të përpunimit të drurit do të përfaqësojnë një linjë të gjerë të produkteve dhe dizajneve të Kosovës në Panairin Ndërkombëtar të Ndërtimit “Swiss bau 2024”.
Këto kompani kanë kompozuar një linjë impresionuese të produkteve që do të ekspozohen në pavionin e Kosovës për bizneset dhe klientët e interesuar në Zvicër dhe me gjerë.
Produkte variojnë nga dyert dhe dritaret, tek kuzhinat dhe mobiliet për dhoma gjumi, tavolina dhe karrige, mobilie për banjo, dyer ndarëse, rafte dhe produkte të tjera për ambiente të hapura.
Pjesëmarrja e kompanive të Kosovës në Panairin Ndërkombëtar të Ndërtimit “Swiss bau 2024” është fasilituar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK), për herë të parë në vitin 2010.
Kurse qysh nga viti 2012, SHPDK-ja ka organizuar në vazhdimësi grupet për ekspozim në këtë panair.
“Anëtarët tanë e shohin Zvicrën si një treg shumë tërheqës dhe fitimprurës për produktet e tyre”, ka theksuar Arieta Vula-Pozhegu, drejtoreshë ekzekutive e SHPDK-së.
Ajo ka theksuar se pjesëmarrja e tyre në këtë panair është një mundësi shumë e madhe për kompanitë individuale dhe për të gjithë industrinë e drurit të Kosovës që ta zgjerojnë tregun e tyre në Zvicër dhe në shtetet e tjera.
“Pjesëmarrja e prodhuesve nga Kosova në panairet ndërkombëtare të kësaj shkalle dhe rëndësie gjithmonë ka rezultuar me histori të suksesit. Përfaqësimi i shkëlqyer i kompanive tona dëshmon cilësinë dhe inovacionin e produkteve qe prodhohen ne Kosove. Jemi të gatshëm të ndajmë ekspertizën tonë dhe të krijojmë lidhje të reja të biznesit. Pas kësaj eksperience të suksesshme, shpresojmë që do të rezultojë me shumë mundësi të reja bashkëpunimi dhe kontrata, të cilat do të forcojnë pozicionin tonë në tregjet ndërkombëtare. Kjo do të rezultojë në një rritje të eksportit, duke kontribuar në zhvillimin e industrisë dhe rritjen e imazhit të Kosovës si një shtet inovativ dhe konkurrues”, ka pohuar Arieta Vula-Pozhegu.
SHPDK në bashkëpunim me MINT, agjencionin KIESA dhe me mbështetjen e GIZ-EP dhe PPSE, mundësuan realizimin e këtij aktiviteti që është pjesëmarrja e 12 kompanive prodhuese nga Kosova në panairin më të rëndësishëm në sektorin e ndërtimit, Swiss Bau 2024 që mbahet në Basel të Zvicrës nga datat 16-19 janar 2024.