Kompanitë e sigurimeve reagojnë për mosaprovimin e kërkesës së tyre nga BQK-ja
Shoqata e Sigurimeve të Kosovës (ShSK), konsideron se BQK-ja nuk e ka trajtuar në mënyrë reale gjendjen aktuale nëpër të cilën po kalon industria e sigurimeve.
“Ne vlerësojmë se raporti i aktuarit ka vërtetuar në mënyrë të saktë matematiko-shkencore se ndryshimi i tarifave në shkallë prej 36,56% është mëse i domosdoshëm për të evituar kolapsin e industrisë së sigurimeve, për shkak se i gjithë opininoni i gjerë është dëshmitar i numrit të madh të aksidenteve të komunikacionit dhe rrezikimit të jetës dhe pasurisë së qytetarëve.
Një numër i madh i këtyre aksidenteve është me fatalitet ku shumë njerëz fatkeqësisht humbin jetën në këto aksidente. Në këto raste janë kompanitë e sigurimeve ato të cilat sipas ligjit janë të vetmet që e kanë përgjegjësinë për zhdëmtimin dhe kompenzimin dëmeve materiale dhe jomateriale dhe zbutjes së dhimbjeve të qytetarëve e sidomos familjeve të viktimave.
Me aprovimin e raportit të aktuarit, Rregullatori do të zbatonte ligjin për BQK-në, duke mbajtur stabilitetin financiar të vendit tonë në evitimin e kolapsit të një industrie shumë të rëndësishme për vendin siq është industria e sigurimeve”, thuhet në reagimin e ShSK-së, duke u shtuar se me mos aprovimin e kërkesës së tarifave, BQK-ja nuk e ka marr për bazë interesin në rend të parë të policmbajtësve.
“Kjo bazuar se raporti i aktuarit ka treguar dhe shtjelluar nevojën urgjente për veprim duke ndryshuar tarifat aktuale. Duke qenë se industria e sigurimeve është nën mbikqyrje të BQK-së si rregullator, dhe duke u bazuar në vendimet e rregullatorit normalisht se do të jemi detyruar t’i zbatojmë vendimet e tyre, mirëpo gjithnjë do të kërkojmë që ndryshimi i tarifave ta ketë trajtimin e vet bazuar në raportet aktuaristike të cilat përcaktojnë tarifën e duhur për rrezikun që e marrin. Shoqata e Sigurimeve edhe një herë u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të kenë kujdes, duke vozitur sipas kushteve dhe rregullave të komunikacionit në mënyrë që të ruajnë jetën e vet, jetën e pjesëmarrësve në komunikacion dhe pasurinë e tyre”.