Kompanitë shqiptare në Zvicër ua kërkojnë nga 2500 franga mërgimtarëve që t’i dërgojnë ndihmat në Shqipëri
Tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 nëntor ka prekur shqiptarët gjithandej ku ata jetojnë. Tragjedia që shkaktoi dridhja e tokës në Atdhe. ka ngjallur një valë të paparë solidarizimi sidomos nga Kosova dhe nga diaspora.
Solidarizim i madh me të prekurit nga fatkeqësia natyrore është regjistruar edhe te shqiptarët e Zvicrës. Por, krahas solidarizimit të kuptueshëm dhe dhembjes legjitime për ata që pësuan, dolën mjerisht në dritë edhe jo pak shprehje euforie, kaosi dhe për të qenë më keq, edhe raste përpjekjesh për të përfituar në kurriz të viktimave.
Rrëfimi në vijim është vetëm një rast por që fatkeqësisht nuk është i vetmuar dhe që paraqet lakuriq një kategori njerëzish që shfrytëzojnë edhe tragjedi të tilla për të nxjerrë përfitime ose për tu vetëreklamuar.
Nderim Ibrahimi, i cili menaxhon një autosallon në Kantonin Aargau dhe është bashkëthemelues i degës së Fondacionit “Albana” për Zvicër, tregohet thellësisht i zhgënjyer me atë që ka përjetuar këto ditë. “Si çdo shqiptar normal edhe unë isha i tronditur me të marrë lajmin për tërmetin në Shqipëri. Unë si pjesëtar i Fondacionit Albana me disa miq dhe pjesëtar të tjerë, menduam se urgjentisht duhet të grumbullojmë mjete financiare për të ndihmuar zonat e prekura nga tërmeti ne Durrës”, rrëfen ai për Albinfo.ch, përcjell indeksonline.
Përpos donacioneve që organizata e tij ka dërguar si ndihmë të menjëhershme në të holla, ata shkuan më tutje. “Formuam platformën për ndihmë të prekurve nga tërmeti, me emërtimin „Hape Derën për Shqiptarin“ dhe brenda 5 ditëve kemi arritur të sistemojmë mbi 500 persona”, tregon ai, duke i pasur si dëshmi komunikimin dhe korrespondencën shumë të dendur që ka zhvilluar gjatë më shumë se një jave përmes mediave sociale, me dedikim ndihmat në Shqipëri.
Edhe pas kësaj, duke iu përgjigjur kërkesave që vinin nga të gjitha anët, Nderimi, siç tregon për albinfo.ch, lëshoi në dispozicion një pjesë të madhe të autosallonit që menaxhon. “Sigurisht, u nisa edhe nga ajo se shumë shpejt do të vinin kamionët për t`i transportuar në Shqipëri. Kur vendosa kështu, e kisha parasysh se tashmë dhjetëra kompani transporti i postonin në rrjetet sociale kamionët e tyre. Aty, me logo të madhe ato shkruanin se ishin në dispozicion për të dërguar FALAS në Shqipëri ndihmat e grumbulluara.
Por këto kompani “bamirëse” u zhdukën shpejt sapo kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u deklarua se në zonat e tërmetit nuk ka më nevojë për ndihma në veshmbathje. Madje, sipas tij, mallrat që do të arrinin në Shqipëri do të dorëzoheshin në doganë dhe do të shkonin në rezervat e shtetit.
“Kompanitë e përmendura u zhdukën pasi që duket se kishin menduar t`i shpërndanin vetë dhe të bënin selfie duke pretenduar se ata ishin dhuruesit”, supozon Nderimi.
Sido që të jetë, “kompanitë që pak ditë më parë rrihnin gjoks për patriotizëm dhe humanizëm, tani kërkojnë 2500 e më shumë franga për transportimin e këtyre ndihmave të grumbulluara”, shprehet i zhgënjyer bashkëbiseduesi ynë.
Të gjendur në një situatë të tillë kur ambientet e punës u janë bllokuar nga thasët dhe pakot me ndihma, Nderimi dhe miqtë e tij ndjehen të dëshpëruar dhe pothuajse pa rrugëdalje.
Shpresat e fundit ata i kanë varur te Rotary Club i Zvicrës, të cilit i janë drejtuar me një shkresë zyrtare. Kjo organizatë humanitare që ka simotrat e saj edhe në Shqipëri dhe Kosovë, mban mbledhjen e saj të martën, më 10 dhjetor, shkruan albinfo.ch. “E ne s`na mbetet tjetër përveç të shpresojmë se ata do ta organizojnë transportin e ndihmave të grumbulluara nga ne, për në Shqipëri ose për në Kosovë”, thotë Nderimi.