Kompanitë turke të interesuara të investojnë në Kosovë
Oda Tregtare Kosovaro Turke mirëpriti delegacionin e shoqatës së afaristëve Rumelisiad nga Bursa
Shoqata Rumelisiad, nga Bursa, e themeluar nga biznesmenë me origjinë ballkanase, shqyrtoi mundësitë e të bërit biznes si dhe bashkëpunimit në Kosovë. Gjatë vizitës dy-ditore në Kosovë delegacioni nga Bursa nën kryesinë e kryetarit të kësaj shoqate Ömer Kumova vizitoi Odën Tregtare Kosovaro Turke.
“Delegacioni, u mirëprit nga kryetari i OTKT-së Abdurrahman Balkız, i cili informoi mysafiret për mundësitë e të bërit biznes si dhe klimën e investimeve në Kosovë. Gjatë këtij takimi ku u vlerësuan mundësitë e të bërit biznes në Kosovë ku të dyja palët përmendën avantazhet e miratimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Turqisë ku ndër të tjera u vlerësua se hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do të inkurajojë edhe investimet. OTKT dhe Rumelisiad ranë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit si dhe zbatimin e projekteve të realizueshme në Kosovë”, thuhet në njoftimin e OTKT-së.