Kompetencat ekzekutive të Zajednicës!
Shkruan: Xhevdet Smakiqi
Zajednica me këtë statut na paraqitet brenda sistemit kushtetues të Kosovës si Kryekomuna Serbe/ Qeveri Regjionale e Komunitetit Serb me funksione të organeve lokale dhe qendrore.
Pa paragjykuar draftin e fshehur nga Albin Kurti që nuk e kemi parë deri më sot, por duke e marr për lexim e vështrim draftin e statutit të Zajedincës të publikuar dje nga ztr. Burim Ramadani sipas kuptimit të formulimeve me vështrim të syrit pa u thelluar në interpretime juridike në këtë draft-statut, kjo Zajednicë si konstruksion juridik është në kundërshtim të plotë me sistemin politik, juridik kushtetues të Kosovës, në veçanti në pikat si në vijim:
1. Emërtimi i saj Bashkësi e Komunave me Shumice Serbe bie ndesh me parimin e multietnicitetit, pra është në kundërshtim me parimin themelor të konceptit të shtetit të Kosovës si shtet i qytetarëve të saj – as i shqiptarëve as i serbëve, për me tepër secili organ publik qendror dhe lokal duhet të ketë strukturë udhëheqës dhe funksionale multietnike.
2. Kompetencat ekzekutive të Zajednicës janë përshkruar në fushat si në shëndetësi, arsim, siguri, financa, infrastrukturë, trashëgimi kulturore, marrëdhënie ndërkombëtare.
3. Zajednica sipas këtij statuti ka kompetenca ekzekutive të Qeverisë dhe Komunës kur i është lejuar themelimi i Ndërmarrjeve Publike brenda komunave me shumice serbe, themelimi i ndërmarrjeve publike nënkupton themelimin e pronës së luajtshme dhe të paluajtshme aksioneve 100% në Ndërrmarrje Publike regjionale jo vetëm në komunat veriore por edhe në komunat tjera si Graçanicë, Shterpcë, Partesh etj.
4. Zajendica do të themelojë, administrojë, investoi rritë dhe shpenzoi buxhet vetjak të saj, jo vetëm për funksionet organizative të Zajedincës por për përmbushjen e interesave e objektivave funksionale për komunat me shumicë serbe në Kosovë, që përbënë kompetenca ekzekutive në kundërshtim me funksionet e ASK-së së Kosovës aktuale, pra në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovë s.
5. Kompetencat ekzekutive të Zajednicës janë edhe ato për inicimin, menaxhimin financimin, mbikëqyrjen, mirëmbajtjen e projekteve infrastrukturore, planifikimin rural dhe urban për anëtarët e saj jo vetëm në veri por edhe në jug të Kosovës.
6. Kompetencat ekzekutive të Zajedincës janë edhe te siguria ku Zajednica do të përgatitë listën e së paku 3 kandidatëve nga Komuniteti Serb nga komunat anëtare të Zajednicës për të emëruar Komandanit e Policisë së Kosovës në veri dhe jo vetëm, pra kjo kompetencë bie ndesh me kompetencat ekzekutive të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ligjin për Policinë e Kosovës.
7. Kompetencat ekzekutive të Zajednicës sipas këtij statuti janë të përshkruara edhe në fushën e arsimit dhe shëndetësisë ku hapur janë legjitim i strukturave paralele të Serbisë, tash me Zajedincë janë strukturuar dhe betonuar në kundërshtim me kompetencat e ministrit të Arsimit të Kosovës dhe Ligjin për arsimin e mesëm të ulet dhe arsimin e lartë.
8. Kompetencat ekzekutive të Zajednicës janë formuluar edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare ku Zajednica paraqitet pranë mekanizmave ndërkombëtarë si entitet me fuqi politike, juridike, rregullatore dhe ekzekutive brenda shtetit të Kosovës.
9. E vetmja dispozitë që është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës ishte Auditimi i Jashtëm që do t’i nënshtrohet Zajednica nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës – ZKA-ja.
10. Pikat e monitorimit nga BE-ja për 5 vite dhe mundësi të zgjatjes së afatit edhe për 5 vite nuk janë të mjaftueshme për të siguruar kontrollin e Zajednicës si minishtet brenda shtetit të Kosovës.
Çka duhet bërë?
Statuti zyrtar fillimisht duhet publikuar debatuar në Kuvendin e Kosovës siguruar që Zajednica të mos ketë kompetenca ekzekutive në asnjë fushë, të mos luaj rolin e organit komunal as në formë e as në funksion.
Vendimet, rregulloret autorizimet, buxheti i Zajednicës t’i nënshtrohen pelqimeve të autoriteteve qendrore finalisht dhe autoritetet qendrore të kenë ingerencat që të anulojnë kurdo që konsiderohet se Zajednica ka ndërhyrë në kompetencat ekzekutive të organeve komunale dhe qendrore.