Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz kështu duket, kështu do të bëhet
Të hënën është bërë prezantimi i projektit fitues për restaurimin dhe revitalizimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ky projekt po cilësohet si ndër projektet më të mëdha nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili do përkushtim të jashtëzakonshëm.
Projekti fitues parasheh që Kompleksi të shtrihet në një hapësirë 450 hektarëshe në fshatin Prekaz.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka pohuar se sakrifica e familjes Jashari ka qenë dhe mbetet shembull përherë.
“Obligim i yni dhe nder njëkohësisht. Trimëria e fisnikëria, heroizmi e sakrifica e familjes Jashari kanë qenë e do të mbesin shembull përherë”, ka pohuar Çeku.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar si një nga proceset më të rëndësishme dhe më delikate të vendit tonë.
“E mu për këtë, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare e konceptuar si “Oda e kombit”. Vetëmohimi, sakrifica e vetëflijimi i familjes Jashari janë gurëthemel i çlirimit të vendit tonë dhe për më tepër janë shembull botëror i flijimit për liri”, u shpreh Kurti ditën e hënë.
Ndryshe, në bazë të prezantimit të projektit, kullat do të vendosen apo ruhen nën xham transparent në mënyrë që nga vizitorët të shihen më qartë.
Në projekt shihet që do të ketë muze kombëtar brenda kompleksit, librari, ekspozitë të përhershme, hapësira për vizitorë, pjesa për fëmijë ku do të mësojnë më shumë për historinë e Kosovës, arkiv, hapësirë për trajnime dhe një tjetër për konferenca, restorant, hapësira të gjelbra për agrikulturë, amfiteatër etj.
Një tjetër element që përfshihet në kompleks është “Kulla e Ujit”.
Konsorciumi i kompanive përbëhet nga “Gerber Architekten International GmbH (Gjermani) dhe Donald Insall Associates & Barker Langham (Mbretëri e Bashkuar).
Më shumë se një vit nga shpallja e tenderit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpalli fituesin e kontratës gati 8 milionë euro për zhvillimin e masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Vlera e kontratës është 7 milionë e 890 mijë euro, gati 5 milionë më shumë sesa vlera e parashikuar.
Shtëpitë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” kanë mbetur në gjendjen e njëjtë që nga viti 2000 kur ishte bërë konservimi emergjent i tyre.