Kompleksi Turistik “Rajska Banja”, dikur strehë terroristësh dhe pikë luftimi më 24 shtator
Kompleksi turistik “Rajska Banja” që dje (e martë) u mor nën kontrollin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, deri vonë ka qenë strehë e terroristëve të pjesëtarëve të të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’, kurse drejtori i saj, Marko Saviq, ka qenë njëri nga pjesëmarrësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit. Këtë konstatim Kosovapress e ka mësuar nga të dhënat e komunitetit të inteligjencës në Kosovë.
Kosovapress ka siguruar fotografi të Marko Saviqit, i cili shihet së bashku me terroristët Vladimir Radivojevic – Mami (bashkëpunëtor i afërt i Milan Radoicic) dhe Uglesa Jaredic (shefi i truprojave të Radoicic). Radivojevic, së bashku me Radoicic dhe 18 të tjerë, kanë hyrë në “red notice” të Interpolit. Fotografia është realizuar me 24 shtator 2023, ditën kur Serbia kishte organizuar sulm terrorist në fshatin Banjskë.