Kompletimi i KQZ-së, çështje urgjente
Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, mirëpo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që organizon këto zgjedhje është i pakompletuar meqë në të nuk janë të përfaqësuara tri partitë e koalicionit qeverisës PAN (PDK, AAK dhe Nisma).
Bazuar në zhvillimet e fundit në skenën politike, njohësit e çështjeve kushtetuese dhe zgjedhore kanë thënë se kompletimi i KQZ-së është çështje urgjente.
Njohësi i çështjeve kushtetuese dhe ish-kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka thënë të martën për gazetën “Epoka e re” se KQZ-ja është funksionale, por kompletimi i këtij institucioni duhet të bëhet sa më parë.
“KQZ-ja është funksionale, ka kuorum dhe ka filluar të punojë, edhe pse është fatkeqësi që për më shumë se një vit ishte jashtë funksionit, duke mos qenë institucion i kompletuar. Tani KQZ-ja është funksionale dhe ka mundësi që me shumicë votash të marrë vendime dhe të procedojë çështjen për zgjedhjet e parakohshme për të cilat duhet të bëhet plani operacional i KQZ-së dhe punët e tjera. KQZ-ja edhe pa këta dy anëtarë është funksionale, por sigurisht se sa më shpejt duhet të kompletohet dhe fuqizohet”, ka thënë Baraliu.
Edhe ish-anëtari i KQZ-së, Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se sa më parë presidenti duhet t’i emërojë dy anëtarët e KQZ-së.
Ai ka vlerësuar se një KQZ e kompletuar është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme para se vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“KQZ-ja duhet të kompletohet me dy anëtarët e rinj sepse të gjitha partitë parlamentare duhet t’i kenë përfaqësuesit e vet në këtë institucion. Një KQZ e kompletuar është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme para se vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse partitë vendosin për një gjë të tillë pa e provuar procedurën e rizgjedhjes së një kryeministri të ri brenda afatit kushtetues 60 ditorë. Pra, duhet ende kohë për ta qartësuar temën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme sepse me automatizëm nuk ka zgjedhje të jashtëzakonshme, por duhet të respektohen procedurat kushtetuese”, është shprehur Burjani.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)