Kompromisi për masat kufitare, Sarrazin: Dhamë garanci – nuk i neglizhojmë shqetësimet, sidomos pas Banjskës
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka folur për arritjen e kompromisit të fundit për heqjen e masës së sigurisë nga Kosova për mallrat serbe dhe zhbllokimin në anën tjetër të vendimarrjes në CEFTA përmes zëvëndësimit të UNMIK-ut me Kosovën.
Sarrazin ka thënë se meritat për këtë më shume iu përkasin liderëve të Kosovës dhe Serbisë që treguan vullnet politik për arritjen e një kompromisi të tillë.
I pyetur se sa afër ishte Kosova për të mbetur jashtë Procesit të Berlinit në rast të mos pranimit të heqjes së masës kufitare, Sarrazin ka bërë një krahasim me ndeshje futbollit, duke thënë se e rëndësishme është që u “shënua goli”, dhe pak rëndësi ka se në cilën minutë.
Emisari gjerman ka thënë se thirrja për Kosovën që të hiqte masën kufitare është bërë edhe nga Komisioni Evropian por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ka qenë një lojë në ekip”, ka thënë Sarrazin në një intervistë për “Balkan Debiref” të Ilva Tares.
Sa i përket skanerëve që pritet të marrë Kosova për të avacancuar kontrollet nëpër kufij, Sarrazin ka treguar se Gjermania do t’ia japë një dhe pritet që një t’ia dhurojë Kosovës Komisioni Evropian dhe një SHBA-ja.
“Është punë në ekip, Gjermania do ta prokurojë një, mendoj që Komisioni Evropian një dhe një SHBA, kështu që Kosova do të ketë mundësi për kontrolle më të shpejta të kamionëve në kufij nga aparaturat mobile me rreze X”, ka deklaruar Sarrazin, shkruan Express.
Ai tutje ka deklaruar se situata aktuale në Merdare nuk është më e mira dhe ka thënë se Gjermania do të angazhohet në mënyrë pozitive për përmirësimin e gjendjes dhe për lëvizjen e kamionëve më shpejt.
Emisari gjerman ka potencuar se Gjermania asnjëherë s’ka neglizhuar shqetësimet lidhur me sigurinë, sidomos pas Banjskës dhe ka treguar se Gjermania i ka marrë shumë seriozisht ato dhe i ka dhënë garanci Kosovës, në mënyrë që të lejohet hyrja jo vetëm për mallrat serbe por edhe për mallrat që hyjne nga Serbia.
“Në përgjithësi, ideja ishte për t’i marrë seriozisht shqetësimet e sigurisë dhe jo të neglizhohen ato, sidomos pas Banjskës, por duke provuar t’iu përgjigjemi atyre me angazhim dhe me garancitë e dhëna nga ana jonë, për të bërë të mundshme jo vetëm lëvizjen e mallrave serbe por edhe mallrave nga Serbia. Kështu që siguri dhe tregti të lirë janë në një pako të përbashkët”, ka thënë Sarrazin.