Komshiqi: Vuçiqi nuk mund ta shpëtojë Dodikun

25 tetor 2021 | 12:48

Kryetari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshiq, e ka komentuar takimin në Beograd të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe anëtarit serb të Presidencës së BeH, Millorad Dodik.

Komshiqi ka theksuar se Dodikun nuk mund ta shpëtojë Vuçiqi, por vetëm miratimi i ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor të BeH-së sipas dëshirës së HDZ-së, e cila mbështetet nga Rusia, që do të nënkuptonte fundin e perspektivës së NATO-s në BeH.

“Dodikun nuk e shpëton dot Vuçiqi, pavarësisht se sa e ka kundërshtuar vendosjen e sanksioneve, sepse për sanksionet e shpallura nuk vendos dhe as nuk mund t’i ndalë nëse fillon me to. E vetmja gjë që e shpëton Dodikun dhe planin e tij për ta shpërbërë shtetin është miratimi i kërkesave anti-qytetëruese të HDZ-së për ndryshime në ligjin zgjedhor, që nuk do të thotë gjë tjetër veçse vrasje jo vetëm të perspektivës evropiane, por edhe më e rëndësishme, e asaj të NATO-s në BeH. Rusia mund t’i fërkojë duart me kënaqësi, dhe kjo do ta forconte më tej politikën separatiste të Dodikut”, ka thënë Komshiqi.

Ai është shprehur se kjo çon në shpërbërjen e sigurt të shtetit, “që është synimi i politikës së Dodikut”.

“Diçka e tillë çon në shpërbërjen e sigurt të shtetit të BeH. Ekstremizmi dhe dhuna e Dodikut janë pikërisht rezultat i sistemit etniko-totalitar. Nëse proceset politike në BeH shkojnë në atë drejtim, kjo do të thotë shpërblim për çdo formë të veprimit destruktiv politik. Të gjithë ata që janë për shtetin e BeH, besoj se janë të vetëdijshëm për këtë. E ardhmja e BeH gjithashtu varet nga mënyra se si ne të gjithë do të pozicionohemi së bashku dhe do të jetë pikërisht ashtu siç e kemi merituar”, është shprehu Komshiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Unë nuk dua funksione. Kjo nuk është ideja ime, por…