Komuna do t’i mbulojë shpenzimet e varrimit për qytetarët e Skenderajt
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook” ka bërë me dije se tash e tutje kjo komunë do t’i mbulojë shpenzimet për varrimin e qytetarëve të Skenderajt.
Jashari ka thënë se për herë të parë po fillon realizimi i projektit më përfitues i mundshëm për qytetarët e Skenderajt.
“Të nderuar qytetarë të Skenderajt, jam tejet i lumtur që t’ua kumtoj lajmin që për herë të parë po fillon e realizimi i projektit më përfitues i mundshëm për qytetarët tanë. Nga sot, secila familje që do të ketë rast vdekjeje, përveç dhembjes, nuk do të ketë edhe barrën e organizimit të varrimit në aspektin teknik, si dhe shpenzimet financiare për varrim. Me një planifikim të mirë të buxhetit, kemi siguruar mjetet financiare për t’i mbuluar shpenzimet e domosdoshme, e që për raste të caktuara janë edhe të papërballueshme”, ka shkruar kryetari Jashari.
Ky propozim i kryetari Jashari ka marrë mbështetjen e anëtarëve të Komitetit për Politikë e Financa, të cilët i kanë rekomanduar Kuvendit për miratim.
/Epoka e re/