Komuna e Deçanit në shërbim të bashkatdhetarëve
Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë me dije se tashmë janë krijuar kushtet më të mira për punë në administratën komunale, dhe sipas tij, deri më tani nuk është parë e nevojshme për zgjatjen e orarit të punës për shkak të sezonit veror.
Pavarësisht kësaj, Ramosaj ka thënë se nëse do të ketë kërkesa edhe ditëve të vikendit si administratë komunale janë të gatshëm të jenë pranë qytetarëve e sidomos pranë bashkatdhetarëve të cilët janë për pushime në Deçan.
Edhe drejtori i Administratës Komunale, Jashar Dobraj, ka bërë me dije se ky sezon veror e ka gjetur këtë administratë me të kompletuar se kurrë më parë.
Ai ka thënë se pritjet janë të shkurtra në këtë administratë, ku sipas tij qytetarët brenda tre deri në pesë minuta mund t’i përfundojnë procedurat për marrjen e dokumenteve.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se pajisja me certifikata të të gjitha llojeve nga Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me komunën këtë vit nuk ka munguar.
Dobraj ka treguar se nga muaji janar e deri më tani në Administratën Komunale të Deçanit janë lëshuar 30 mijë e 593 certifikata të llojeve të ndryshme. E njëjta gjendje është edhe në dy qendra të gjendjes civile në Strellc dhe në Polana.
Në Administratën Komunale në Deçan, dhe në dy zyrat e gjendjes cilivile në fshatra Strellc dhe Polana mund të pajiseni me certifikatë të lindjes, ekstrakt të lindjes, certifikatë martesore, certifikatë të vdekjes, status martesor, deklaratë familjare, certifikatë të vendbanimit, vërtetim të arkivit dhe certifikatë të shtetësisë.
/Epoka e re/