Komuna e Deçanit: Veprimet e fundit të arrestimit nga Gjykata Speciale, cenim i të drejtave dhe lirive të njeriut
Sot në zyrën e kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, është mbajtur një takim me përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së si dhe me shoqatën e të Burgosurve Politik, ku është diskutuar rreth arrestimeve të fundit të krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
“Komuna e Deçanit, me shqetësim të madh po i përcjell zhvillimet e fundit në Kosovë, ku po arrestohen luftëtaret e lirisë, të cilët terë jetën e tyre ia kanë kushtuar lirisë duke sakrifikua gjithçka për çlirimin e Kosovës nga pushtimi shekullor i Serbisë. Përkujtojmë më të drejtë se qëllimi i të gjithë luftëtarëve të lirisë, ishte dhe është edhe sot çlirimi dhe ndërtimi i paqes dhe perspektivës në këtë vend”, thuhet në njoftimin e komunës së Deçanit.
“Konsiderojmë se aktet e fundit të arrestimit nga Gjykata Speciale, janë cenim i të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe ndërhyrje në rendin kushtetues të një shteti sovran për të cilin sakrifikuan shumë breza e sidomos luftëtaret e UÇK-së”, theksohet në këtë njoftim.
Me tej thuhet se komuna e Deçanit dhe qytetarët e saj, janë në mbështetje të luftëtareve të lirisë të arrestuar ditë më parë dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë familjeve të tyre me mundësitë për përkrahje deri në përfundimin e këtij procesi të padrejtë.
(M.Q / Epoka e re)