Komuna e Drenasit bën thirrje për shfrytëzim racional të ujit të pijes
Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, ka njoftuar qytetarët e kësaj komune se javët e fundit me ngritjen e temperaturave është shtuar konsumi, respektivisht shfrytëzimi joracional i ujit, gjë e cila ka filluar të shkaktojë çrregullim në furnizim me ujë për shumë konsumatorë.
Sipas kësaj komune, ditë më parë Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve në zonën e Drenasit, që ujin e pijshëm ta shfrytëzojnë sa më racionalisht në këtë periudhë, për pije dhe higjienë dhe assesi për destinime tjera që konsiderohen të paarsyeshme.
“Uji i pijes nuk bën në asnjë mënyrë që të keqpërdoret për çështje të panevojshme si për ujitje e larje rrugësh etj. Keqpërdoruesit e ujit që zihen duke e keqpërdorë ujin do të gjobiten sipas legjislacionit ne fuqi”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.
/Epoka e re/