Komuna e Drenasit dhe IADK-ja përkrahin katër fermerë të riatdhesuar
Organizata Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit me Komunën e Drenasit, përkatësisht me Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, kanë mbështetur katër përfitues me mekanizëm bujqësor për fermerët e riatdhesuar të Drenasit.
Këto pajisje bujqësore, do të ndikojnë në lehtësimin e punëve, rritjen e efikasitetit, gjithashtu do të ndihmojnë fermerët që të gjenerojnë të ardhura për vete dhe familjet e tyre.
IADK-ja në kuadër të projektit “Përfshirja ekonomike e të riatdhesuarve përmes bujqësisë në zonat rurale dhe ngritja e kapaciteteve përmes trajnimit profesional”, të përkrahur nga GIZ-i gjerman, po vazhdon të përkrahë në vazhdimësi të riatdhesuarit në sektor të ndryshëm të bujqësisë, ku në Komunën e Drenasit kanë përfituar disa prej tyre, ku përfituesit janë pajisur me serra, plantacione me arra, laktorfiza dhe makina mjelëse, ndërsa tani ka përkrahur katër fermerë me mekanizëm bujqësor.
Ky projekt i bashkëpunimit në mes të IDAK-së dhe Komunës së Drenasit do të vazhdojë edhe në të ardhmen për t’i përkrahur fermerët e riatdhesuar të Drenasit.
Drejtoresha e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Anita Avdullahu-Dvorani, ka falënderuar përfaqësuesit e IADK-së për përkrahjen që janë duke i bërë fermerëve të Komunës së Drenasit dhe ka shtuar se nga Komuna e Drenasit do të kenë bashkëpunimin edhe ne të ardhmen për t’i fuqizuar fermerët.
/Epoka e re/