Komuna e Drenasit fton qytetarët të aplikojnë për legalizimin e ndërtimeve pa leje
Komuna e Drenasit ka njoftuar për zgjatjen e afatit për dorëzimin e aplikimeve për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Kjo komunë ka bërë me dije se qytetarët mund t’i dorëzojnë aplikacionet për legalizimin e ndërtimeve pa leje nga 1 shtatori deri më 31 dhjetor të këtij viti.
“Ju njoftojmë se Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje tashmë ka hyrë në fuqi dhe nga data 1 shtator 2023, është hapur afati për dorëzimin e aplikimeve për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Qytetarët mund të drejtohen në komunën tonë dhe të dorëzojnë aplikimet për legalizim. Është shumë e rëndësishme për ju, legalizimi i shtëpisë/ndërtimit tuaj, prandaj Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe drejtoritë tjera të linjës mbesin të përkushtuar në ofrimin e shërbimeve që ju ndihmojnë në legalizimin e ndërtimit tuaj. Kjo është edhe një mundësi e re për të gjithë ju që deri sot nuk keni mundur apo nuk keni pasur mundësinë të aplikoni për Legalizim, që tash e tutje të plotësoni dokumentacionin dhe të bëhuni pjesë e legalizimit të objektit tuaj. Legalizo ndërtimin, mos e humb mundësinë!”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.