Komuna e Drenasit shton masat mbrojtëse për shkak të koronavirusit

16 mars 2020 | 16:54

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë me dije se pas ndërmarrjes së të gjitha masave në pajtim me situatën emergjente, me Shtabin e Emergjencës, kanë shtuar masat mbrojtëse në këtë komunë për shkak të koronavirusit.

“Sot, kemi vendosur tenda para QKMF-së në Drenas dhe para QMF-së në Komoran, ku ofrohen shërbime 24 orë në ditë, për qytetarët me dyshime për simptoma të ngjashme me ato të virusit covid-19, ndërsa shërbimet tjera në këto objekte shëndetësore vazhdojnë sipas planit të punës. Personeli i Administratës në komunë, punon me 50% të kapacitetit, me masat mbrojtëse”, ka shkruar kryetari Lladrovci në llogarinë e vet në “Facebook”.

Po ashtu, Lladrovci ka thënë se bashkë me anëtarë të Shtabit të Emergjencës, pjomandanten e stacionit policor, drejtorin e Shëndetësisë, drejtorin e Inspektoratit dhe me asamblistin Qendrim Mula, ka vizituar QKMF-në, QMF-në dhe Mullirin në Komoran.

“Po ashtu, jam takuar me qytetarë të cilët pritnin në radhë për miell dhe kam diskutuar me dy pronarët e mullinjve të cilët kanë kapacitetin e mjaftueshëm për të furnizuar qytetarët me miell. Mesazhi im për qytetarët e komunës së Drenasit është: Respektoni vendimet e institucioneve qendrore për gjendjen emergjente, ndërsa për çdo dyshim të simptomave të virusit, thirrni në telefonin e Ministrisë së Shëndetësisë: 038-200-80-800. Po kujdes, jo panik!”, ka shkruar Lladrovci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus në…