Komuna e Drenasit të enjten prezanton planin lokal të veprimit në mjedis
Komuna e Drenasit, respektivisht, Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, fton të interesuarit që më 17 tetor (e enjte), duke filluar nga ora 14:00, të marrin pjesë në debatin publik që do të mbahet në Sallën e Kuvendit Komunal.
Në këtë debat publik do të prezantohet Plani Lokal i Veprimit në Mjedis (PLMV) i cili është dokument planifikues-strategjik, për të adresuar zgjedhjen e problemeve mjedisore në nivel lokal, ku duke u bazuar në këto probleme mjedisore janë përcaktuar prioritetet mjedisore për periudhën pesëvjeçare.
Qëllimi i Planit Lokal të Veprimit në Mjedis është që të identifikojë dhe të ofrojë zgjidhje për problemet prioritare mjedisore në Komunën e Drenasit, duke synuar menaxhim efektiv. “Prandaj, duke pasur parasysh ndikimin e rëndësishëm që mund të ketë PLVM-ja, inkurajohen të gjithë të interesuarit, duke përfshirë shoqërinë civile, profesionistët dhe ekspertët e fushave relevante të marrin pjesë në debat publik, dhe të kontribuojnë në dhënien e vërejtjeve, sugjerimeve eventuale që do të ndikojnë në zgjidhjen e problemeve mjedisore në nivel lokal”, është thënë në njoftimin e Komunës së Drenasit.