Komuna e Ferizajt bëhet gati për pritjen e bashkatdhetarëve
Ekzekutivi i Komunës së Ferizajt ka mbajtur mbledhjen javore, në të cilën është diskutuar për përgatitjet për pritjen e bashkatdhetarëve të kësaj komune.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka theksuar se këtë vit është angazhuar me kapacitet të plotë gjithë mekanizmi komunal për të lehtësuar shërbimet e administratës ndaj bashkë atdhetarëve.
Ai ka thënë se janë bërë ndërhyrje edhe në rregullimin e trafikut rrugor si dhe në rritjen e kapacitetit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore pa lënë anash edhe aktivitetet kulturore-sportive që po organizohen në kuadër të “Ditët e Diasporës”.
Po ashtu Aliu ka thënë se janë bërë edhe dhe ndërhyrje të tjera me qëllim që të përballohet fluksi i shtuar i shërbimeve lokale në këtë sezon veror.
Aliu ka njoftuar drejtorët e drejtorive komunale për aktivitetet e realizuara dhe planet afatshkurtra që synohen të realizohen. Në anën tjetër, edhe drejtorët e drejtorive komunale kanë raportuar për punën javore, sfidat dhe sukseset që kanë shënuar javën që po e lëmë pas.
/Epoka e re/