Komuna e Ferizajt kërkon të shmanget përdorimi i panevojshëm i ujit
Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” kanë njoftuar qytetarët e kësaj komune se mungesa e ujit të pijshëm është si pasojë e një mungese të ujit në tërë vendin, temperaturave të larta dhe keqpërdorimeve eventuale dhe jo si pasojë e ndonjë defekti në rrjetin tonë të ujësjellësit.
“Gjithashtu sigurojmë qytetarët që është duke u operuar me kapacitet të plotë në gjithë rrjetin tonë me qëllim që qytetarëve t’u sigurohet uji i pijshëm. Me keqardhje që në këtë ditë feste mungon uji i pijshëm, përkundër përpjekjes të pandalshme të autoriteteve lokale presim mirëkuptimin tuaj dhe njëkohësisht apelojmë te qytetarët që të shmangin përdorimin e panevojshëm të ujit dhe të denoncojnë keqpërdorimet e ujit te organet kompetente”, është thënë në njoftimin e komunës së Ferizajt.
Kjo komunë ka bërë me dije se ka mobilizuar prej ditësh të gjitha mekanizmat për të siguruar rezervat e ujit dhe përpunimin e tij me qëllim të shmangies së krizës në shkallë më të gjerë të ujit në territorin e Ferizajt.
/Epoka e re/