Komuna e Ferizajt merr disa vendime për parandalimin e përhapjes së Covid-19
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë me dije se ka mbajtur mbledhjen e Shtabit emergjent për përballimin e situatës me pandeminë Covid-19, në të cilën kanë marrë disa vendime.
Aliu në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ky shtab ka marrë vendim që të ndalohet qarkullimi në sheshin qendror të Ferizaj, duke krijuar kanale alternative kalimi për qytetarët që kanë domosdonë e qarkullimit për nevoja të furnizimit me ushqime e ilaçe.
“Policia e Kosovës në Ferizaj do të nis së gjobituri qytetarët që shkelin vendimin për frekuentimin e parqeve e zonave malore”, ka shkruar Aliu.
Postimi i plotë i Aliut:
Sot mblodha Shtabin Emergjent për përballimin e situatës me pandeminë COVID-19 ku morëm vendim që:
Të përmbyllet brenda 24 orëve lista e kontakteve të personit të infektuar me COVID-19 i cili ndërroi jetë dy ditë më parë si dhe kontaktet e kontaktit (palët e treta) që të izolohet tërësisht mundësia e përhapjes së virusit;
Nuk do të ofrohet asnjë shërbim komunal, nga institucionet komunale dhe institucionet shëndetësore nëse kërkuesi i shërbimit, qytetari apo pacienti nuk është i pajisur me doreza dhe maskë;
Policia e Kosovës në Ferizaj do të nis së gjobituri qytetarët që shkelin vendimin për frekuentimin e parqeve e zonave malore;
Ndalohet qarkullimi në sheshin qendror të Ferizaj, duke krijuar kanale alternative kalimi për qytetarët që kanë domosdonë e qarkullimit për nevoja të furnizimit me ushqime e ilaçe;
Të shtohen patrullimet policore në lagje komunitare veçanërisht lagjet e komunitetit joshumicë;
Vendosëm që të nis punën shërbimi online psikologjik i krijuar nga Komuna me profesionistët e fushës.
Të gjitha këto masa janë të domosdoshme, që shëndeti i ferizajasve të jetë i mbrojtur. Bashkë, do të dalim me shëndet nga kjo situatë!