Komuna e Ferizajt ndan 200 mijë euro për luftën kundër koronavirusit
Në ambientet e Teatrit “Adriana”, me respektimin strikt të udhëzimeve të profesionistëve shëndetësorë, distancës sociale e masave tjera mbrojtëse është zhvilluar të enjten seanca e parë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Ferizajt, ku është marrë vendimi për ndarjen e mjeteve në shumën prej 200 000 eurove në mbështetje të luftës kundër pandemisë Covid-19.
Në fjalën e tij adresuar anëtarëve të Kuvendit, i pari i Ferizajt, Agim Aliu, ka paraqitur një përmbledhje të masave që ka marr ekzekutivi i kësaj komune dhe Shtabi emergjent në përballimin e situatës me Covid-19.
Më tutje, ka pasur diskutime edhe nga anëtarët e Kuvendit të të gjitha subjekteve politike. Me votat e të gjithë të pranishmëve për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Komunës ia ka dhënë dritën jeshile propozimit të kryetarit Aliu që të ndahen 200,000 euro në luftë kundër koronavirusit.