Komuna e Ferizajt paraqet të arriturat, sfidat dhe sukseset për vitin 2020
Këtë të hënë përmes platformës zoom është mbajtur diskutimi i dytë publik në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale në Komunën e Ferizajt.
Në këtë takim kanë marrë pjesë një numër simbolik i qytetarëve, ndërsa para të pranishëmve të arriturat, sukseset, por edhe sfidat i ka paraqitur nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Arton Gavazi.
“Gjatë këtij viti kemi realizuar projekte madhore infrastrukturore, ku në stad të punimeve është ‘Bashkimi i Qytetit’, nënkalimi në fshatin Nikadin-Varosh, nënkalimi te ‘Plus Marketi’, rregullimi i trotuareve në qendër të qytetit, ndërtimi i Stacionit të Autobusëve, parku memorial i UÇK-së, nisja e punimeve për çerdhen e re në rrugën ‘Rexhep Bislimi’, si dhe shumë projekte të tjera”, ka thënë nënkryetari i komunës, Arton Gavazi, i cili ka prezantuar edhe rreth 40 projekte të tjera madhore që janë realizuar gjatë vitit 2020 në qytetin e Ferizajt.
Në këtë takim Habib Krosa, përfaqësues i fshatit Varosh, ka paraqitur një varg kërkesash, Komunës së Ferizajt. Kërkesat e tij ishin që të ketë sa më shumë rrugë të rregulluara, të ketë më shumë trotuare si dhe parkingje në fshatin e tij.
Edhe Sadik Qerimi, përfaqësues i fshatit Koshare, ka falënderuar Komunën e Ferizajt për projektet e shumta që janë realizuar në fshatin e tyre, përderisa ka parashtruar edhe kërkesa të tjera në të mirë të banorëve të fshatit të tyre.
Ndërkaq Sabedin Mustafa ka paraqitur kërkesat e banorëve të fshatit Pleshinë. Kërkesë kryesore e tij ka qenë që të bëhet pastrimi i lumenjve si dhe te ketë edhe një mini-park në këtë fshat.