Komuna e Ferizajt shpërndanë mekanizëm bujqësor për fermerët
Në vazhdën e projekteve mbështetëse Komuna e Ferizajt, përmes Drejtorisë së Bujqësisë, ka bërë shpërndarjen e një sasie të mekanizimit bujqësor për disa nga fermerët ferizajas. Me këtë rast është thënë se vlera e këtij projekti kap shumën e 70 mijë eurove.
Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka thënë se përkushtimi i institucioneve karshi kësaj kategorie mbetet prioritet. Madje këtë përkushtim Aliu ia ka adresuar drejtorisë e cila me ndryshimet që ka bërë në politikat e këtij sektori dita-ditës po i fuqizon edhe më shumë veprimtaritë bujqësore.
“Drejtoria e Bujqësisë dhe drejtori edhe gjatë hartimit të platformës sonë qeverisëse pikërisht ka ndryshuar, dizajnuar këto politika mbështetëse në mënyrë që të krijojnë efekte direkte dhe jo që diçka që mund të quhet abuzive. Ka qenë zotim yni që do të mbështeten ata fermerë që janë me të vërtetë të përkushtuar për t’u marrë me veprimtari bujqësore”, ka thënë Aliu.
Ndërsa fermeri Basri Avdyli nga fshati Softaj e ka vlerësuar këtë përkrahje të komunës, duke thënë se ky mekanizëm i hyn në funksion. “Ne kemi nevojë për mekanizëm dhe ky është projekt më se i qëlluar. Fuqizimi i këtij sektori kërkon përkrahje të vazhdueshme”, ka thënë Avdyli. Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami, ka thënë se me këtë projekt po synohet të krijojnë lehtësira kualitative për fermerët e Ferizajt.
/Epoka e re/