Komuna e Fushë – Kosovës dhe MAPL-ja nënshkruajnë marrëveshje mirëkuptimi
Pas dorëzimit të projektpropozimit për projektin “Asfaltimi i rrugës Pomozotin – Fushë – Kosovë” në thirrjen e hapur nga Ministria e Administrimit dhe Pushteti Lokal (MAPL) dhe pas verifikimit nga ana e komisionit përkatës, Komuna e Fushë – Kosovës i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe ka fituar të drejtën për grant në mesin e dhjetë komunave të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Fushë – Kosovës, Burim Berisha, ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me ministrin e Ministrisë së Pushtetit Lokal (MAPL), Goran Rakiq.
Qëllimi i këtij projekti është zhvillimi i infrastrukturës socio-ekonomike dhe vlera totale e tij është 60 mijë euro.
Nga buxheti i MPL-së për investime kapitale janë ndarë 50 mijë euro për këtë projekt, me bashkëfinancim nga ana e komunës në vlerë prej 10 mijë euro.
Ministri Rakiq ka uruar kryetarët e komunave për mjetet e fituara dhe ka theksuar se ministria që drejton do të vazhdojë që në periudhën e ardhshme të sigurojë mbështetje dhe ndihmë maksimale për të gjitha komunat, duke përmirësuar infrastrukturën për të cilën janë dhënë mjetet.
(Q.R / Epoka e re)