
Komuna e Fushë-Kosovës përkujton 168 martirët e masakrës
Me një sërë aktivitetesh përkujtimore, Komuna e Fushë Kosovës përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport shënuan përvjetorin e Masakrës së Fushë Kosovës, ku 168 martirë humbën jetën në një nga ngjarjet më tragjike të historisë së fundit të Kosovës.
Në rrugën kryesore “Nëna Terezë”, u mbajt një defile përkujtimor, ku familjarët e viktimave, të shoqëruar nga flakadanë, marshuan drejt Stacionit Hekurudhor. Ky vend bart një simbolikë të dhimbshme, pasi nga aty, mijëra shqiptarë u depërtuan me dhunë drejt Bllacës në Maqedoni gjatë luftës së vitit 1999.
Aktivitetet përkujtimore vazhduan me Akademinë Përkujtimore, ku fjalë rasti mbajtën Nënkryetari i Komunës, Besnik Osmani, dhe Andin Hoti, Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur si dhe në emër të familjarëve të pranishmëve ju drejtua Agron Muharremi.
Të pranishmit kujtuan sakrificën e viktimave dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së memories historike për brezat e ardhshëm.
“Programi i akademisë u pasurua me pika artistike të përzgjedhura nga aktori i Teatrit të Kosovës Ismet Azemi si dhe pjesa e Baletit e përgatitur nga mësuesja Genta Hoxha, duke reflektuar përmes artit dhe kulturës dhimbjen dhe qëndresën e popullit shqiptar. Në përfundim të aktivitetit, përfaqësues të institucioneve, familjarë dhe qytetarë kryen homazhe tek varrezat e martirëve, duke vendosur kurora dhe lule të freskëta në nderim të jetëve të pafajshme të humbura”, thuhet në njoftimin e bërë nga Komuna e Fushë Kosovës.
Këto aktivitete përkujtuese shërbejnë si një kujtesë e përhershme për sakrificat e popullit shqiptar dhe si një thirrje për drejtësi ndaj krimeve të kryera gjatë luftës.