Komuna e Gjakovës formon komisionin për identifikimin e pronave komunale
Nën udhëheqjen e kryesuesit Anton Shala, të hënën është mbajtur mbledhja e katërt e Komitetit për Politikë dhe Financa për këtë vit.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në komunën e Gjakovës, Shkumbin Kastrati, ka raportuar mbi përgatitjen dhe mirëmbajtjen verore të rrugëve.
Ai ka treguar se është nënshkruar kontrata me KMR “Çabrati” dhe se me kohë janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura në saje të kritereve dhe specifikave.
Kastrati ka thënë se në bazë të ligjit, ditë më parë kryetari i komunës, Ardian Gjini, ka marrë vendimin që e njëjta kompani “Çabrati” të bëjë edhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta.
Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë së Kadastrës dhe Pronës, Afërdita Lama, ka njoftuar anëtarët e KPF-së se pas vendimit të kryetarit të komunës, Ardian Gjini, është formuar një komision ku do të bëjë identifikimin dhe menaxhimin e pronave komunale në shtatëdhjetë zonat kadastrale të komunës.
Kurse, Durim Halilaj, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka dhënë raportin mbi menaxhimin e aseteve komunale (inventarit), duke bërë me dije se ky raport pasqyron të gjitha pasuritë komunale të regjistruara në sistem të kontabilitetit komunal, dhe në saje të së cilës rezulton se vlera aktuale e pasurisë sipas drejtorive është në shumë prej 52,976,045.28 euro.