Komuna e Gjakovës ndan 12 hektarë tokë për “Fehmi Aganin”
19 gusht 2020
| 16:49
Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Artan Nimani, është pritur të mërkurën në takim nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
Rektori Nimani e ka informuar kryetarin Gjini për hapat e ndërmarrë në fillimin e vitit të ri akademik si dhe për procedurat e fillimit të punimeve për ndërtimin e kompleksit të ri universitar “Fehmi Agani”.
Kryetari Gjini e ka përgëzuar rektorin Nimani për zhvillimin dhe për avancimin e komponentit arsimor të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, njëherësh i ka ofruar mbështetjen e nevojshme për ngritjen institucionale.
Komuna e Gjakovës ka ndarë 12.8 hektarë tokë për kompleksin e ri “Fehmi Agani” dhe ka aprovuar lejet e nevojshme për fillimin e ndërtimit të këtij kompleksi.