Komuna e Gjilanit dhe MTI-ja konfirmojnë bashkëpunimin për zonën ekonomike
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në një takim pune këshilltarin politik të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Enver Hajrullahu, ku bashkërisht kanë konfirmuar angazhimin e plotë të dy institucioneve për themelimin dhe financimin e zonës ekonomike në Gjilan.
Ismajli ka thënë se Gjilani si komuna më e madhe e këtij regjioni, ka në planin e saj dinamik themelimin e zonës ekonomike në një hapësirë prej 52 hektarëve dhe me këtë pretendohet që përpos kushteve më të mira infrastrukturore, të bëhet edhe tërheqja e investitorëve të rinj në drejtim të kësaj pjese të Kosovës.
“Është interes i përbashkët i të gjithë neve që të kemi një zonë ekonomike funksionale në kuadër të mbështetjes dhe zhvillimit të sektorit privat, por edhe me qëllim të ndikimit direkt në zbutjen e papunësisë. Planifikimi i Komunës është që kjo zonë të ndërtohet në një pozitë strategjike zhvillimore të integruar edhe në autostradën e cila kalon nëpër Gjilan. Komuna ka kapacitetet e saja që të investoj në infrastrukturën e zonës, në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa këshilltari politik i ministrit të MTI-së, Enver Hajrullahu, ka konfirmuar se kjo ministri do t’i qëndrojë afër Komunës së Gjilanit në këtë investim që ka impakt në zhvillimin ekonomik.
Ai ka thënë se sikur në shumë qytete të Kosovës, ku MTI-ja është duke punuar në zonat ekonomike edhe Gjilani do të ketë mbështetjen maksimale në këtë projekt të madh që do të jetë me interes për të gjitha komunat e regjionit të Gjilanit, Kumanovës dhe Luginës së Preshevës.
/Epoka e re/