Komuna e Gjilanit, krenare me nivelin e nxënësve në fushën e matematikës
Në Komunën e Gjilanit kanë nisur të mbahen garat komunale në lëndën e matematikës.
Në këtë drejtim Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Kësaj gare janë duke iu nënshtruar nxënësit nga të gjitha shkollat e Gjilanit nga klasat e pesta e deri në të teta.
Dekani i Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka”, Xhevdet Thaçi, ka thënë se niveli kaq i lartë pjesëmarrjes së nxënësve në këto gara u jep energji shtesë që të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim.
“Ata të cilët merren me mësimin e më vonë edhe studimin e matematikës, gjithmonë do të jenë në planin e parë. Me orientim në këtë drejtim do të thotë se në jemi konkurrentë të shteteve të zhvilluara dhe konkurrentë të përbashkët në të gjitha fushat, sepse me matematikë dhe me këtë përkushtim të nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve sigurisht që gjithmonë do të kemi suksese. Universiteti ‘Kadri Zeka’, është i nderuar dhe po punon që të krijoj hapësirë edhe për shkencat natyrore e konkretisht matematikës”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, ka falënderuar të gjithë nxënësit për angazhimin maksimal që po japin, në mënyrë që Gjilani të ketë epitetin e qytetit lider në fushën e matematikës dhe qytetit të shkencës në përgjithësi.
“Komuna e Gjilanit është krenare me nivelin që kanë nxënësit në shkollave në të gjitha lëndët e veçanërisht në lëndën e matematikës dhe gjithmonë jemi përkrahës institucional, sikur që ju jeni përkrahësit e Gjilanit në rrafshin e dijes”, ka thënë Gagica.
Në anën tjetër, kryetari i shoqatës “Paskal”, Agim Buklla, që edhe është në Këshillin organizativ të garave ka falënderuar Komunën e Gjilanit dhe kryetarin Lutfi Haziri, për mbështetjen e dhënë në organizimit të garave në këtë komunë.
/Epoka e re/