Komuna e Gjilanit miraton rishikimin e buxhetit
Kuvendi Komunal i Gjilanit, të mërkurën në një seancë të jashtëzakonshme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini ka miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2020.
Zijadin Maliqi, drejtor i Financave, ka thënë se Ministria e Financave përmes një shkrese drejtuar komunave, ka kërkuar rishikimin e buxhetit në funksion të pandemisë.
Ai ka thënë se mundësitë për rirregullim të buxhetit nuk kanë qenë të mëdha dhe vetëm disa mjete kanë mundur t’i bartin nga një projekt te projekti tjetër, në shumën rreth 500 mijë euro.
“Si te bujqësia, ku rrugët e arave nuk kanë mundur të kryhen për shkak të pandemisë dhe tani barten te asfaltimi i rrugëve, pastaj te shëndetësia dhe disa të tjera, në kuadër të kategorive të caktuara”, është shprehur Maliqi.
Drejtori Zijadin Maliqi sqaroi se rishikimi i buxhetit dhe riorientimi i mjeteve është bërë prej drejtorive, duke shtuar se riorientimi i mjeteve jashtë kategorisë nuk mund të bëhet.
(Q.R / Epoka e re)