Komuna e Gjilanit nderon veprën heroike të Nezir Shurdhanit, në 22-vjetorin e rënies
Në 22-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, Nezir Shurdhani, kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, me bashkëpunëtorë, drejtorë të drejtorive komunale, familjarë, shokë dhe qytetarë, kanë bërë homazhe të vendi i rënies, (ish-fabrika e Çlikut).
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila ka folur në emër të institucioneve lokale, ka thwnw se gjaku i heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve në luftën për liri, është themel i Republikës së Kosovës dhe njëherësh thirrje e fuqishme për angazhim maksimal në zhvillimin e vendit.
Në emër të shokëve nga ish-ndërmarrja Çeliku në Gjilan, ka folur Vehbi Aliu, i cili ka shprehur ngushëllime familjes dhe ka ndarë kujtimet më të mira që kishin me Nezir Shurdhanin, i cili kishte mbetur i vrarë 22 vjet më parë në vendin e tij të punës, duke mbrojtur ndërmarrjen në të cilën ai kishte dhënë kontributin e tij.
Në emër të familjes të pranishmit i ka falënderuar vëllai i Nezirit, Fatmir Shurdhani, i cili prezencën e të gjithë të pranishmëve e ka konsideruar mbështetje dhe ngushëllim për familjen.