Komuna e Gjilanit pranon 80 shtretër dhe pajisje teknologjike
Komuna e Gjilanit ka pranuar kontingjentin e dytë të shtretërve dhe pajisjeve të tjera, donacion nga bashkatdhetari nga Zvicra, Mehmet Sopa.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbёr Ismajli ka thënë se ky është donacion jashtëzakonisht i mirëpritur për shkak të qëllimit që ka për kushte më të mira të trajtimit shëndetësor të pacientëve.
“Është donacion i bashkatdhetarit tonë Mehmet Sopa dhe dedikohet për ambulancat e mjekësisë familjare, Spitalin Regjional dhe institucionet shëndetësore. Kjo është mbështetje e mirë dhe garanton kushte më të mira të veprimit shëndetësor, sikur që edhe aparatura tjetër është specifike dhe shumë e nevojshme për të dhënë shërbime shëndetësore për pacientët”, ka thënë nënkryetari Ismajli. Kurse, Arbenita Hajdari, drejtoreshë e QKMF-së ka pohuar se donacioni i ardhur sot dhe donacionet që vijnë në institucionet shëndetësore, janë mbështetje e madhe për stafin dhe njëkohësisht edhe komoditet më i madh për pacientët.
Ndërkaq, në emër të donatorit ka folur Refik Ramadani, i cili ka konfirmuar vazhdimin e donacioneve të kësaj natyre ku janë rreth 80 shtretër, uniforma, rroba të ndryshme, pajisje teknologjike dhe mjete të tjera përcjellëse.