Komuna e Gjilanit shpërndanë 35 krerë lopë për fermerë
Tridhjetepesë (35) familje bujqësore të Gjilanit kanë përfituar të premten nga një krerë lopë qumështore të racës “hollshtajn-frizes”, si pjesë e bashkëpunimit të Komunës së Gjilanit dhe Organizatës për Zhvillim Rural “Mëshqerra”.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka falënderuar drejtoreshën e kësaj organizate, Florentina Kida-Gërguri për këtë bashkëpunim trepalësh, duke thënë se qëllimi kryesor është që ta rrisim fondin e bagëtive. “Baza për zhvillimin ekonomik lokal është bujqësia dhe shtimi i fondit të bagëtive është njëri prej prioriteteve tona. Me këtë ne po i ndihmojmë dhe po e lehtësojmë punën e çdo familje bujqësore në Gjilan për zhvillim të kësaj veprimtarie. Ju sigurojmë që edhe në vitin e ardhshëm do ta zhvillojmë më tutje këtë projekt”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se Gjilani në parametrat e zhvillimit lokal ekonomik këtë vit po përmendet si komunë që është duke e zhvilluar industrinë e bujqësisë, përkatësisht përpunimin e mishit.
Ndërsa drejtoresha e Organizatës për Zhvillim Rural “Mëshqerra”, Florentina Kida-Gërguri, e ka falënderuar drejtorin e Bujqësisë, Ramiz Ramadani, për të cilin tha vazhdimisht ka bërë përpjekje për ta përfituar këtë donacion, dhe falë kësaj janë gëzuar 35 familje.
Projekti në fjalë kapë vlerën prej 100 mijë euro. Komuna e Gjilanit ka participuar me 28 mijë euro, ndërsa me 59 mijë euro donatori dhe fermerët me 14 mijë euro.
/Epoka e re/