Komuna e Gjilanit subvencionon bletarët me 30 centrifuga elektrike
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, kanë përgëzuar përfituesit e 30 centrifugave elektrike për bletari dhe kanë garantuar rritjen e buxhetit për sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2019.
Haziri ka thënë se baza e zhvillimit lokal ekonomik në Anamoravë mbetet bujqësia, e cila sipas tij është qeliza e zhvillimit dhe baza kryesore që do të vazhdojmë me investime dhe rritje të subvencioneve.
Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka theksuar se në vazhdimësi janë duke i përkrahur bletarët gjilanas. “Në Gjilan nuk ka bletar që posedon mbi 30 bletë e që nuk është pajisur me centrifugë elektrike”, ka thënë Ramadani.
Ai ka bërë me dije se Gjilani ka 297 bletarë, prej të cilëve 101 bletarë kultivojnë mbi 30 shoqëri bletësh e 196 të tjerë kanë më pak se 30 shoqëri bletës, që mbledhur në total në Gjilan janë gjithsej 6700 shoqëri bletësh.
/Epoka e re/