Komuna e Inegylit dhuron maska për komunën e Mitrovicës
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, së bashku me drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, kanë pranuar një donacion me 10 000 maska për qytetarët e Mitrovicës nga kryetari i Komunës së Inegylit, Alper Taban, me të cilin qytet Mitrovica është e binjakëzuar.
Me këtë rast, nënkryetari Mujka ka falënderuar kryetarin Taban për dhurimin e këtij donacioni shumë të nevojshëm në këtë kohë pandemie, duke thënë se këto maska mbrojtëse do të shërbejnë për nevojat e qytetarëve.
Sipas tij, ndihma të tilla janë të mirëseardhura për të tejkaluar situatën e krijuar nga pandemia globale e virusit Covid-19.
Po ashtu Mujka është shprehur mirënjohës ndaj Tabanit dhe gjithë qytetarëve të Inegylit të cilët edhe një herë kanë treguar solidaritetin dhe respektin që kanë për qytetarët e Mitrovicës, si dhe për bashkëpunimin e mirë që kanë deri më tani.