Komuna e Kaçanikut është e gatshme për të aplikuar në fondet e qeverisë japoneze
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka pritur në takim përfaqësuesin e Ambasadës së Japonisë në Kosovë, asistentin e granteve për projekte, Mark Rodiqi.
Kryetari Ilazi fillimisht ka shprehur falënderimet e tij për përkrahjen e Qeverisë japoneze dhënë Komunës së Kaçanikut në sektorin e shëndetësisë.
Ai ka thënë se Komuna e Kaçanikut do të aplikojë në grantet e qeverisë japoneze, duke shprehur përkushtimin profesional të stafit ekzekutiv dhe administrativ, për kompletim të dokumenteve të nevojshme.
Kryetari Ilazi ka theksuar se prioritet i kësaj komune mbetet menaxhimi i mbeturinave, duke shtuar se interesimi i tyre është që të aplikojnë për grante në këtë fushë.
Vitin e kaluar qeveria japoneze i ka dhuruar donacion Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik një autoambulancë dhe një minibus për bartjen e pacientëve me dializë.
/Epoka e re/