Komuna e Kaçanikut finalizon disa projekte kapitale
Komuna e Kaçanikut ka njoftuar se projekte të shumta komunale tashmë kanë hyrë në fazën e fundit të implementimit. Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi, ka inspektuar nga afër ecurinë e asfaltimit të rrugës “Çamëria”, segmenti Bajnicë-Rakaj si dhe asfaltimin e rrugëve në lagjen Prushaj-Lamaj-Soponicë”.
Me këtë rast, Ilazi ka përgëzuar banorët e kësaj ane për rrugët të cilat janë duke u asfaltuar, të cilat sipas tij do ta lehtësojnë qarkullimin dhe do ta ngritin cilësinë e jetesës.
Ai ka thënë se institucionet komunale do të jenë të përkushtuara në krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë qytetarët, ndërsa edhe banorët janë shprehur të kënaqur dhe falënderues për asfaltimin e rrugëve, të cilat do të mundësojnë një jetesë më të mirë në këto anë.
Rregullimi i rrugëve në lagjen Prushaj-Lamaj-Soponicë është duke u financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Komuna e Kaçanikut, ndërsa projekti “Çamëria”, segmenti Bajnicë-Rakaj, është duke u realizuar në kuadër te memorandumit me Ministrinë e Infrastrukturës.
Po ashtu, kryetari Ilazi ka inspektuar punimet edhe në rrugën “Milaim Loku” në Kotlinë, ku është duke u bërë zgjerimi i trasesë dhe shtruarja me zhavorr e kësaj rruge që përfshinë një gjatësi prej 1 kilometër. Përmes kësaj rruge synohet funksionalizimi i rrugës Kotlinë-Glloboqicë.
/Epoka e re/