Komuna e Kaçanikut ndan 10 000 euro për Shqipërinë e prekur nga tërmeti
Me një minutë heshtje ka filluar punimet mbledhja e njëmbëdhjetë e Kuvendit të Komunës së Kaçanikut për vitin 2019, në nderim të viktimave që kanë humbur jetën nga fatkeqësia natyrore në Shqipëri.
Në këtë mbledhje, pas propozimit të asamblistëve të Vetëvendosje në mënyrë unanime janë ndarë 10 000 euro si mbështetje për Shqipërinë.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka shprehur ngushëllime për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre nga kjo fatkeqësi natyrore.
Ai ka falënderuar qytetarët e Kaçanikut të cilët në mënyrë masive i janë përgjigjur aksionit vullnetarë për dhurimin e ndihmave në forma të ndryshme për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Kryetari Ilazi ka thënë se për shkak të specifikave të fundvitit që paraqiten në realizim të buxhetit, Komuna e Kaçanikut planifikon të ndajë 10 000 euro nga buxheti i saj në ndihmë Shqipërisë. Ky propozim njëzëri është përkrahur nga të gjithë anëtarët e Kuvendit, të cilët gjithashtu kanë ngushëlluar familjet e viktimave, si dhe uruan që Shqipëria sa më shpejtë të rimëkëmbet.
/Epoka e re/