Komuna e Kaçanikut zgjeron investimet në ndriçim publik dhe në rregullimin e urave

16 shtator 2019 | 15:58

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, dhe nënkryetari Ylber Bajra, kanë takuar të hënën ekzekutivin komunal në kuadër të mbledhjes së fillimjavës, me të cilën kanë diktuar për zhvillimet javore komunale.  Drejtori i Shërbimeve Publike, Ramadush Osmani, ka bërë me dije se punimet në projektet e shumta kapitale janë duke u zhvilluar me intensitet të planifikuar.

Ai ka thënë se investimet komunale tashmë janë orientuar edhe në rregullimin e ndriçimit publik si dhe në rregullimin e urave.

Sipas tij, punimet janë duke vazhduar në kuadër të projektit “Ndërtim i urës mbi lumin Lepenc”, fshati Kovaçec, ku është duke u bërë punimi dhe betonimi i shtyllës së mesme dhe në projektin “Ndërtimi i urës mbi lumin Nerodime”.

Po ashtu, ai ka thënë se punimet kanë filluar në projektin “Rregullim i ndriçimit publik” ku është duke u punuar në vendosjen e llampave ndriçuese në rrugët: “Besnik Begunca”, “Raif Krivanjeva”, Izahir Troni”, “Beteja e 25 Majit” – projekt i financuar nga mjetet e buxhetit komunal dhe Grandit të Performancës së vitit 2018.

Më tutje, ai ka thënë se punimet kanë filluar edhe në projektet tjera kapitale komunale që kanë për qëllim rregullimin e infrastrukturës rrugore: “Asfaltim i rrugëve në lagjen Tushaj” ku është duke u bërë shtrimi i shtresës së zhavorrit, fillimi i punimeve në projektin “Ndërtimi i rrugëve në fshatin Kotlinë” zgjerimi dhe shtrimi me zhavor i rrugës “Milaim Loku”, ndërsa po ashtu është duke u implementuar projekti “Furnizimi me gyp te ujësjellësit” që ka për qëllim furnizimin me 3 000 metra gyp ujësjellësi për nevoja të sistemeve të ujësjellësit ne komunën e Kaçanikut.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manuel Neuer, kapiten i përfaqësueses gjermane, iu përgjigj deklaratave të…