Komuna e Kamenicës nënshkruan marrëveshje me OJQ ‘Dardanapress’
Kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj së bashku me kryesuesin e Kuvendit Komunal, Liridon Kastrati kanë pritur në takim drejtorin ekzekutiv të OJQ “Dardanapress” Sherafedin Vranja.
Në këtë takim është nënshkruar marrëveshja e mirëkuptimit mes komunës së Kamenicës dhe OJQ “Dardanapress”, e cila është nënshkruar në kuadër të projektit “Ngritja e transparencës Komunale dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje”.
Kryetari Rahimaj ka thënë se komuna e Kamenicës është gjithmonë e gatshme sa i përket përkrahjes së punës në këtë projekt duke e marrë parasysh se kjo është në të mirë të vetë komunës.
Ndërsa projekt-menaxheri Sherafedin Vranja duke i njoftuar krerët institucional të komunës së Kamenicës lidhur me realizimin dhe implementimin e aktiviteteve të parapara në projekt ka thënë se qëllimi i përgjithshëm i projektit, është ngritja e ndërgjegjësimit te qytetareve të Komunës së Kamenicës pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, grupeve të margjinalizuar, përmes qasjes aktive ne proceset vendimmarrëse dhe ngritjen e transparencës në qeverisjen lokale.
Kurse kryesuesi i Kuvendit Liridon Kastrati, është shprehur se edhe Kuvendi Komunal i Kamenicës është i gatshëm t’i implementojë të gjitha pikat e marrëveshjes duke përfshirë Kuvendin dhe organet e tij, si dhe nuk do të mungojë përkrahja e Kryesuesit dhe anëtarëve të Kuvendit për ta realizuar këtë projekt.
Ky projekt është financuar nga programi i KCSF-së për mbështetje të shoqërisë civile “EJA Kosovë”, bashkë financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh te Luksemburgut.